Si ta zgjedhësh sistemin e menaxhimit të hotelit: dymbëdhjetë pyetje për demon
Shumica e demove ta tregojnë kalendarin. Ti pyet për 90% tjetër.
Çdo sistem i menaxhimit të hotelit (PMS) duket mirë në demo. Dallimet dalin tre muaj më vonë, te gjërat që s'ta tregoi askush: mbyllja e ditës (night audit), eksportet, lejet e përdoruesve dhe çka ndodh kur lidhja me një kanal bie në orën dy të natës.
Pyet për pjesët e mërzitshme
Çka bën mbyllja e ditës vetë, dhe çka i lë njeriut. Si t'i eksportoj të gjitha të dhënat e mia, në çfarë formati, pa pasur nevojë të pyes kënd. Sa është vonesa reale e sinkronizimit me Booking.com, e matur, jo e reklamuar. Kush e rregullon një lidhje të prishur me kanalin, dhe sa shpejt.
Pyet për paratë
A përfshihet menaxheri i kanaleve në çmim, apo paguhet veçmas. A ka tarifë për çdo rezervim te motori i rezervimeve. Sa kushton vendosja e sistemit në punë. Sa është afati i njoftimit për ta anuluar, dhe a ndryshon çmimi kur rinovohet kontrata. Merri përgjigjet me shkrim para se të mbarojë demo.
Pyet ata që e përdorin
Fol me një objekt referencë të së njëjtës madhësi, në një treg të ngjashëm, dhe kërko të flasësh me një recepsionist, jo me pronarin. Personi që e përdor softuerin dyzet orë në javë ka mendimin më të sinqertë për të.