Strategjia22 qershor 20216 min lexim

Si ta rihapësh objektin me sukses pas pandemisë

Mysafirët po dalin nga izolimi me prioritete të reja. Çka ka ndryshuar, si mbeti hapur një hostel në Ekuador gjatë gjithë kësaj kohe, dhe hapat praktikë që e ndihmojnë një objekt të rihapet mirë.

Me vaksinat që po shpërndahen dhe korridoret e udhëtimit që po hapen, njerëzit po bëhen gati të dalin sërish nga shtëpia. Pyetja që i mundon shumicën e hotelierëve është si ta rihapin objektin në kohë për rimëkëmbjen.

Gjërat nuk do të kthehen thjesht si ishin. Pritjet, qëndrimet dhe zakonet e mysafirëve kanë ndryshuar, dhe objekti që do t'ia dalë mirë duhet të ndryshojë bashkë me ta. Më poshtë gjen çka do të thotë kjo, si ia doli një operator në kohën më të vështirë, dhe hapat që ia vlen t'i bësh para se t'i hapësh dyert sërish.

Çka do të thotë normaliteti i ri për hotelierët

Para se ta caktosh datën e rihapjes, sqaroje mirë si kanë ndryshuar prioritetet e udhëtarëve. Gjatë vitit të kaluar, shumë njerëz kanë zgjedhur të udhëtojnë me veturë në vend të aeroplanit, dhe ky zakon ka gjasa të mbetet. Kjo do të thotë më shumë mysafirë vendorë se më parë. Tubimet e mëdha dhe turet me grupe të mëdha nuk kërkohen më, ndaj përvojat më të vogla, të menduara për familje dhe grupe të vogla, do të shiten më mirë.

Mbi të gjitha, mysafirët presin standarde më të larta për shëndetin, sigurinë dhe higjienën, dhe duan ta ndiejnë se e kanë nën kontroll mjedisin përreth. Kjo do të ndikojë se ku qëndrojnë dhe çka bëjnë pasi të mbërrijnë. Objektet që i lexojnë herët këto ndryshime dhe veprojnë sipas tyre kanë gjasat më të mëdha të rimëkëmben, e disa do të dalin edhe më të fortë.

Si e mbajti një hostel derën hapur

Pepe's House e themeloi një çift kolumbian që nisi me një Airbnb të vogël në Kolumbi në vitin 2015, hapi një hostel në Cuenca të Ekuadorit në 2017, dhe një mikrohotel me hostel në Guayaquil një javë para se të fillonin kufizimet në mars 2020. I pyetëm si e përballuan.

Kur Ekuadori i mbylli kufijtë në mes të marsit 2020, konsullatat po i thërrisnin qytetarët e tyre të ktheheshin në shtëpi. Çifti i ndihmoi mysafirët t'i gjenin fluturimet dhe ua ktheu paratë e rezervimeve, ndërsa disa udhëtarë vendosën t'ia linin hostelit pjesën tjetër të pagesës. Në javët e para, prioriteti i vetëm ishte kujdesi për ekipin. Brenda rreth dy muajsh, vëmendja duhej të kalonte te mbijetesa e biznesit. Në vend që t'i ndërprisnin kontratat e qirasë për ndërtesat ku punonin, u morën vesh me pronarët për kushte të reja dhe i vunë vetes një qëllim të thjeshtë: nëse në mars 2021 ende punonin, kishin mbijetuar.

Ende punonin. Objekti në Cuenca nuk u mbyll asnjëherë, ndërsa ai në Guayaquil mbeti i mbyllur afër dy muaj. Pritën udhëtarë të huaj që kishin ngecur, punonjës të shtetit, udhëtarë biznesi dhe turistë vendorë, ndërsa rreth tyre mbylleshin marka të mëdha dhe shumë objekte të vogla. I gjithë ekipi e ndoqi trajnimin e qeverisë për biosigurinë në mikpritje, dhe biznesi mori dy certifikata sigurie, njëra prej tyre vula Safe Travels.

Fjala rikrijim nuk u pëlqen shumë, por e përshtatën pothuajse gjithçka. Dhomat me shumë shtretër u bënë dhoma private derisa të ndryshonin rregullat. E rihapën kafe-barin, nisën mbrëmje filmash në tarracë për njerëzit e qytetit, vendosën internet të shpejtë për nomadët digjitalë, e bënë nga e para webfaqen dhe iu drejtuan udhëtarëve të biznesit dhe atyre vendorë shumë më shumë se më parë, sepse shumica e mysafirëve u kishin ardhur nga jashtë. Dhe nuk u ndalën asnjëherë me menaxhimin e të hyrave, me promocionet, me përdorimin e softuerit të hotelit dhe me përmirësimin e ndërtesës. Presin që udhëtimet brenda vendit të mbeten të rëndësishme, dhe që mysafirët e huaj të kthehen së pari nga vendet ku vaksinimi ka shkuar mirë.

Bëji dhomat e përbashkëta private

Hostelet janë ndër më të goditurat, sepse hapësira e përbashkët dhe atmosfera shoqërore janë pjesa më e madhe e asaj që shesin. Një nga ndryshimet më të shpeshta, shpesh i kërkuar edhe nga rregullat lokale, është t'i shesësh dhomat me shumë shtretër (dorm) si dhoma private. Hostelling Scotland, për shembull, i rihapi hostelet e veta në fund të majit 2021 vetëm me dhoma private.

Për një dhomë me katër apo gjashtë shtretër kjo është e lehtë: nuk ndryshon as rregullimi i dhomës, as numri i shtretërve, vetëm mënyra si e shet. Dhomat më të mëdha janë më të vështira. Një mur ndarës mund ta ndajë një dhomë të madhe në dy dhoma private, por jo çdo buxhet i përballon punimet. Nëse yti nuk i përballon, ule kapacitetin.

Puno me kapacitet të reduktuar

Kur e lë bosh çdo shtrat të dytë, mysafirët rrinë larg njëri-tjetrit pa asnjë renovim, dhe kjo madje mund të bëhet arsye për të rezervuar: shtrati i poshtëm i garantuar në krevat marinari.

E njëjta logjikë vlen për sallat e ngrënies, kuzhinat, sallonet dhe vendet për duhanpirës. Shëno çdo ulëse të dytë që të mos përdoret, ose rregulloje mobilierin ashtu që të ketë distancë të mjaftueshme mes tavolinave. Në sallën e ngrënies, oraret e ndara të vakteve i japin çdo mysafiri radhën e vet. Sa ta ulësh kapacitetin, nëse e ul fare, varet nga rregullat lokale, sa hapësirë ke, llojin e mysafirëve që pret dhe sa u intereson atyre shëndeti e siguria.

Tregoju mysafirëve çka ke bërë

Udhëtarët që dikur nuk shqetësoheshin shumë për shëndetin, tani janë të kujdesshëm, dhe siguria e higjiena vijnë të parat kur zgjedhin ku të qëndrojnë. Bëje të qartë çdo masë para se të rezervojnë: pastrimin shtesë, distancën, dezinfektuesin e duarve, trajnimin e stafit, kapacitetin e reduktuar. Vendose në webfaqen tënde dhe në listimet në OTA, dhe përsërite në email-in e konfirmimit. Ndihmon edhe një skemë e njohur: vula Safe Travels e World Travel & Tourism Council, e nisur në 2020, u tregon mysafirëve se i ndjek protokollet e publikuara për shëndetin dhe higjienën.

Përdor teknologjinë për më pak kontakt

Self check-in ka qenë një nga ndryshimet më të kërkuara që kur nisi pandemia. Pyete ofruesin e sistemit të menaxhimit të hotelit (PMS) nëse e ofron vetë, apo nëse lidhet me ndonjë shërbim që e ofron.

Pjesën më të madhe mund ta mbulosh edhe pa softuer të ri. Dërgoji çdo mysafiri një mesazh automatik pas rezervimit, ku i kërkon të dhënat e dokumentit të udhëtimit dhe çdo gjë tjetër që të duhet për check-in. Pastaj dërgoji udhëzimet si të hyjë, fjalëkalimin e Wi-Fi-së dhe rregullat e objektit, dhe merre pagesën online para ardhjes. Në thelobbyboy, email-et e konfirmimit mund të përmbajnë udhëzime për ardhjen dhe kodet e derës, ndërsa një link pagese i lejon mysafirit të paguajë pa ardhur te recepsioni.

Kodet QR janë një mundësi falas për çdo objekt. Krijoje një kod me një gjenerator falas, lidhe me një faqe në webfaqen tënde, printoje dhe provoje me telefon para se ta vendosësh. Në dhoma, kodi mund të çojë te rregullat e objektit dhe të dhënat e Wi-Fi-së. Në recepsion, te këshillat se ku të hash e çka të bësh përreth. Në restorant apo bar, një kod në çdo tavolinë mund ta zëvendësojë menynë e printuar.

Bëhu gati para mysafirit të parë

Rregullat mund të ndryshojnë pa shumë paralajmërim, ndaj ndiqi lajmet lokale dhe ndërkombëtare dhe ji gati t'i presësh mysafirët sapo të lejohesh. Kjo do të thotë ndërtesa e pastër dhe në rregull, me shenja të qarta që u tregojnë mysafirëve çka pritet prej tyre. Kontrollo çdo llogari në OTA, që listimet, çmimet dhe dhomat e lira të jenë të përditësuara. Trajnoje ekipin për çdo procedurë të re, dhe sigurohu që sistemet që të duhen për ta drejtuar biznesin të jenë gati e të funksionojnë para se të vijë rezervimi i parë.

Arsye për shpresë

Rimëkëmbja po vjen, dhe objektet që përshtaten do të jenë pjesë e saj. Kur Expedia Group Media Solutions publikoi raportin e vet të parë për rimëkëmbjen e udhëtimeve (Travel Recovery Trend Report) në prill 2021, i përshkroi njerëzit si të etur për të udhëtuar sërish. Rruga e kthimit nuk do të jetë e lehtë. Ta kuptosh si kanë ndryshuar mysafirët, të mësosh nga ata që ia kanë dalë dhe, mbi të gjitha, të jesh i përgatitur, i japin objektit gjasat më të mira.

Newsletter

Merre shkrimin e ardhshëm me email

Lajme nga OTA-të, trendet e rezervimeve dhe shënime për drejtimin e hotelit, sa herë që publikojmë. Çregjistrohu kur të duash.

Mjaft lexove për të. Shiko si ta drejton ditën.