Si ta menaxhosh reputacionin online
Vlerësimet vendosin nëse mysafiri i radhës rezervon te ti. Si të mbledhësh më shumë prej tyre, si t'u përgjigjesh mirë atyre negative dhe si t'i vësh në punë ato pozitive.
Reputacioni online ka rëndësi për çdo biznes, dhe për një hotel apo hostel ai bën pjesë në strategjinë e biznesit, jo në fund të listës së punëve. Vlerësimet të tregojnë si e shohin vërtet mysafirët objektin tënd. Mysafirit të radhës i tregojnë nëse ia vlen të rezervojë.
Menaxhimi i reputacionit zbret te disa zakone: kërko vlerësime, përgjigju, mëso nga ato kritike dhe përfito sa më shumë nga ato të mirat.
Pse vlerësimet peshojnë kaq shumë
Shumica e udhëtarëve i lexojnë vlerësimet para se të rezervojnë akomodimin, dhe një objekti pa asnjë vlerësim vështirë t'i besosh. Në një anketë të vitit 2019 që TripAdvisor e bëri me Ipsos MORI, 52% e udhëtarëve të pyetur thanë se nuk do të rezervonin kurrë një hotel pa vlerësime. Për një objekt të vogël, vlerësimet e reja që vijnë rregullisht janë pjesë e arsyes pse mysafirët rezervojnë.
Kërkoja çdo mysafiri
Meqë vlerësimet kanë kaq shumë rëndësi, mos ia lër rastit. Mënyra më e thjeshtë për të marrë më shumë është t'ia kërkosh çdo mysafiri me email pasi të bëjë check-out, sa qëndrimi është ende i freskët. Kur vlerësimet vijnë rregullisht nga njerëz që kanë qëndruar vërtet te ti, nota mbetet e përditësuar dhe një vlerësim i padrejtë peshon më pak.
Në thelobbyboy, këtë e bën për ty menaxheri i vlerësimeve. Pas check-out-it, i dërgon mysafirit një email për ta pyetur si kaloi, dhe mysafirët që u kënaqën dërgohen te faqja jote e vlerësimeve në Booking.com, Expedia, Agoda ose Google. Edhe email-i i faturës ka një link për te faqja e vlerësimeve.
Përgjigju edhe vlerësimeve të mira
Një vlerësim pozitiv meriton një falënderim. Një përgjigje e shkurtër dhe personale i tregon mysafirit që e ke lexuar çka shkroi, dhe e mban bisedën gjallë. Pastaj përfito prej tij: komentet më të mira ia vlen t'i ndash aty ku i shohin mysafirët e ardhshëm, në webfaqen tënde dhe në rrjetet sociale.
Përgjigju mirë atyre negative
Është e natyrshme të frikësohesh se një vlerësim i keq do t'i largojë të gjithë ata që e lexojnë. Por pikërisht këtu menaxhimi i reputacionit e bën pjesën më të madhe të punës. Përgjigju çdo vlerësimi kritik, me mirësjellje dhe shpejt. Falënderoje mysafirin, pranoje problemin dhe thuaj çka po bën për ta rregulluar.
Një ankesë pa përgjigje i lë lexuesit ta marrin me mend vetë çka ka ndodhur, dhe rrallë e marrin në favorin tënd. Një përgjigje e qetë dhe e dobishme u tregon mysafirëve të ardhshëm se në objekt dikush dëgjon dhe i merr problemet seriozisht. Shumë prej tyre do të mendojnë më mirë për ty, ndonjëherë aq sa të rezervojnë.
Vlerësimet kritike janë edhe këshilla falas. Lexoji duke kërkuar çka përsëritet. Nëse disa mysafirë përmendin të njëjtin check-in të ngadaltë apo të njëjtën dhomë me zhurmë, e di saktësisht ku duhet të përmirësohesh.
Përdor çdo platformë
Mysafirët lënë vlerësime në shumë vende: Booking.com, Google, TripAdvisor, Hostelworld dhe faqet e tjera ku shet. Ndiqi të gjitha dhe përgjigju në secilën. Sa më shumë vlerësime të mira të gjejnë mysafirët e mundshëm, kudo që të kërkojnë, aq më mirë e kuptojnë çka ofron dhe pse ia vlen të qëndrojnë te ti.