Mënyra për t'i shtuar dhomat e zëna
Njihe tregun, ndiqe konkurrencën, përdori mjetet e promocionit që OTA-të t'i japin tashmë dhe fito më shumë rezervime direkte. Mënyra praktike që hotelet, hostelet dhe B&B-të të mbushin më shumë shtretër.
Rritja e dhomave të zëna është punë e përditshme për çdo pronar hoteli, hosteli apo B&B-je. Çdo objekt ka qasjen e vet, e megjithatë ndonjëherë të hyrat prapë nuk mjaftojnë. Një strategji që sjell fitim kërkon pak punë, por pikat nga nis janë të njëjta kudo.
Njihe tregun dhe konkurrencën
Fillo nga mysafirët që do t'i tërheqësh: kush janë, pse udhëtojnë dhe si rezervojnë. Pastaj shiko përreth. Shiko sa marrin objektet afër teje, çka promovojnë dhe kur. Ndryshimet e vogla, të bëra në momentin e duhur, mund të bëjnë dallim të madh.
Mos mendo kurrë se nuk ke konkurrencë. Çdo objekt ka, dhe kur e injoron, me kohë të kushton. Të thuash se je më i miri në qytet nuk është strategji. Të dish pse mysafirët e zgjedhin objektin fqinj, po.
Jepu mysafirëve arsye të rezervojnë tani
Promocionet dhe paketat u japin udhëtarëve arsye të të zgjedhin ty për një datë të caktuar. Ndërtoji rreth festave dhe rasteve si Shën Valentini, Krishtlindjet, Viti i Ri, festat kombëtare dhe festivalet lokale. Një paketë që e bashkon dhomën me mëngjes, darkë ose një tur promovohet më lehtë se një zbritje e thjeshtë.
Përdori mjetet që OTA-të i kanë tashmë
Vendi më i lehtë për të filluar janë OTA-të ku je i listuar tashmë, si Booking.com, Expedia, Airbnb dhe Hostelworld. Ato kanë mjete të gatshme për promocione, ndaj një ofertë mund të jetë aktive brenda pak minutash.
Disa nga këto mjete të japin pozicion më të mirë në këmbim të një komisioni më të lartë. Visibility Booster i Booking.com të lejon të ofrosh komision shtesë për datat e check-in që i zgjedh ti, në këmbim të një vendi më lart në rezultatet e kërkimit, dhe komisionin shtesë e paguan vetëm për rezervimet që vijnë vërtet. Më së shumti vlen për datat që e ke vështirë t'i mbushësh, si sezoni i ulët, kur konkurrenca për udhëtarët që lëvizin është më e fortë.
Hostelworld ka diçka të ngjashme për hostelet. Programi i tij Elevate të lejon ta rritësh komisionin për një kohë, që të ngjitesh mes objekteve të ngjashme, dhe nivelin mund ta ndryshosh sipas vendit ku renditen konkurrentët.
Trajtoji këto si mjete për data të caktuara, jo si rregullim të përhershëm. Kontrolloje rezultatin çdo herë: komisioni shtesë duhet të të sjellë rezervime që përndryshe nuk do t'i kishe.
Fito më shumë rezervime direkte
Çdo rezervim që vjen nga kanalet e tua, si webfaqja apo profilet në rrjetet sociale, ta kursen komisionin e OTA-së. Ji aktiv në rrjetet sociale që i përdorin mysafirët e tu, dhe bëje rezervimin direkt të lehtë dhe që ia vlen.
Një mënyrë e thjeshtë është një përfitim për rezervimin direkt, si një zbritje e vogël në webfaqen tënde, që e përmend në profilet e tua. Mysafiri paguan më pak, e ti prapë mban më shumë se sa do të mbaje pas komisionit. Para se ta vendosësh, kontrolloji kushtet për paritetin e çmimeve në kontratat me OTA-të, sepse ndryshojnë nga shteti në shtet.
Mos harro se OTA-të ka gjasa të mbeten burimi kryesor i rezervimeve të tua. Qëllimi është një ekuilibër i shëndetshëm mes tyre dhe kanaleve të tua, jo të zgjedhësh njërën palë.
Ku ndihmon thelobbyboy
Motori i rezervimeve i thelobbyboy merr rezervime pa komision në webfaqen dhe profilet e tua sociale, me kode promocionale dhe rregulla zbritjesh për fushata, mysafirë që kthehen ose sezonin e ulët, dhe me një link rezervimi që mund ta dërgosh në WhatsApp, Viber ose Messenger. Menaxheri i kanaleve i mban çmimet dhe dhomat e lira në sinkron me OTA-të, përfshirë çmimet për shtrat për hostelet dhe dhomat e përbashkëta, dhe raportet tregojnë sa sjell çdo kanal dhe sa të kushton në komision.