Çka është menaxhimi i të hyrave?
Dhoma e duhur, për mysafirin e duhur, në kohën dhe me çmimin e duhur, përmes kanalit të duhur. Çka do të thotë menaxhimi i të hyrave për një hotel, dhe katër pjesët mbi të cilat mbështetet.
Menaxhimi i të hyrave (revenue management) shpesh përmblidhet kështu: ta shesësh dhomën e duhur te mysafiri i duhur, në kohën e duhur, me çmimin e duhur, përmes kanalit të duhur dhe me koston më të ulët. Tingëllon si slogan, por çdo pjesë e kësaj fjalie është një vendim që hoteli e merr çdo ditë.
Në praktikë, do të thotë t'i përdorësh të dhënat për ta kuptuar dhe parashikuar sjelljen e mysafirëve, e pastaj t'i rregullosh çmimet dhe dhomat e lira që të fitosh sa më shumë nga dhomat që ke. Të tregon edhe kur kërkesa do të jetë e dobët, që ta dish kur ka kuptim një çmim më i ulët.
Të njëjtat dhoma, më shumë të hyra
Hoteli nuk mund të shtojë dhoma për një fundjavë plot. Menaxhimi i të hyrave ka të bëjë me të fituarit më shumë nga i njëjti numër dhomash, duke e përshtatur ofertën me kërkesën. Kjo nis me të kuptuarit si e sheh mysafiri vlerën.
Ndonjëherë do të thotë të mos e shesësh lirë një dhomë sot, sepse pret ta shesësh më shtrenjtë nesër. Ndonjëherë do të thotë ta pranosh që kërkesa është e ulët dhe ta vendosësh çmimin që dhoma të mbushet. Kur bëhet mirë, të tregon edhe ku stafi nuk përputhet me kërkesën: shumë njerëz në ndërrim në javët e qeta, ose shumë pak në ato më të ngarkuarat.
Katër pjesët
Menaxhimi i të hyrave është një nga mjetet më të dobishme që ka një menaxher hoteli, dhe mbështetet në katër pjesë.
- Ndarja e mysafirëve në grupe. Grupoji mysafirët sipas asaj që ua formëson rezervimin: mosha, qëllimi i udhëtimit, si shpenzojnë dhe çka u intereson. Udhëtarët për punë, familjet dhe udhëtarët me çantë shpine vlerësojnë gjëra të ndryshme dhe reagojnë ndryshe ndaj çmimeve.
- Parashikimi i kërkesës. Shiko kërkesën e kaluar në secilin grup për të parashikuar nëse ka gjasa të rritet apo të bjerë. Parashikimet të tregojnë kur t'i ngresh çmimet dhe kur të nxjerrësh një promocion që sjell më shumë mysafirë.
- Menaxhimi i rendimentit (yield management). Fokusohu te balanca mes çmimit dhe vëllimit: çmimi me të cilin dhomat e tua sjellin më së shumti, jo thjesht ai që shet më shumë dhoma.
- Çmimet dinamike. Ndryshoji çmimet kur ndryshon kërkesa, në vend që ta mbash një çmim për gjithë sezonin. Kjo të mban në hap me tregun dhe të ndihmon t'i mbushësh sa më shumë dhoma.
Pse hotelet kanë më së shumti nevojë për të
Menaxhimi i të hyrave vlen në shumë industri, por në hotele është i domosdoshëm. Një natë që nuk shitet nuk mund të shitet më kurrë, ndaj çdo vendim për çmimin ka afat.
Tre numra të tregojnë si po shkon. Dhomat e zëna janë pjesa e dhomave që u shitën. ADR, çmimi mesatar ditor, është sa solli mesatarisht çdo dhomë e shitur. RevPAR, të hyrat për dhomë në dispozicion, i bashkon të dy, ndaj tregon nëse një çmim më i lartë apo një hotel më i mbushur dha vërtet rezultat.
Nuk të duhet një ekip i veçantë për të filluar. Të duhen numra të qartë dhe një mënyrë e lehtë për të vepruar mbi ta. Raportet në thelobbyboy tregojnë dhomat e zëna, ADR dhe RevPAR sipas burimit të rezervimit dhe llojit të dhomës, të hyrat dhe komisionin për çdo kanal, dhe nga vijnë mysafirët e tu. Çmimet mund t'i vendosësh për çdo sezon, t'i japësh një kanali planin e vet të çmimeve, ose t'i ngresh apo t'i ulësh me një përqindje për një periudhë datash, ndërsa qëndrimi minimal dhe datat e mbyllura për ardhje dërgohen në çdo kanal nga një ekran. Për çmime që ndjekin kërkesën automatikisht, thelobbyboy lidhet me Turbosuite.